Objekti i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit hap konkurs për bursa për studentët elitarë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim që të hap konkursin për bursa për nxënësit elitarë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e MASHTI-t, Hykmete Bajrami me anë të një postimi në Facebook.

Konkursi për bursa do të hapet për vitin akademik 2019/2020 për studentët e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.

“Këto bursa ofrojnë një përkrahje të nevojshme financiare për studentët elitarë, prandaj edhe janë në shërbim të avancimit të cilësisë së arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Bajramit.

Tutje në njoftimin e Bajramit thuhet se konkursi do të jap përgjigje për interesimet e studentëve lidhur me konkursin e vitit të kaluar.

“Shpallja e këtij konkursi do të ofrojë përgjigje lidhur me interesimet e shumta të studentëve lidhur me konkursin për bursa të shpallur nga MAShTI në vitin 2019 i cili konkurs ishte përcjellur me polemika dhe protesta dhe i cili ishte anuluar përmes vendimit të datës 08.11.2019”, ka shkruar Bajrami.

Aplikimi sipas ministres do të jetë për të gjitha fushat.

“Duke pasur parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19, Ministrja ka vendosur që të drejtë aplikimi për bursë kanë studentët e të gjitha fushave të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara përmes udhëzimit administrativ 14/2017 për ndarjen e bursave. Hapja e konkursit do të bëhet ditëve në vijim dhe studentët do të informohen për afatet dhe kriteret e aplikimit”, thuhet në fund të njoftimit.