Ministria e Arsimit gjuan topin tek komunat për kontrollin dhe mbylljen e çerdheve private

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me kompetencat ekzekutive në lidhje me çerdhet private në vend.

Kjo erdhi pasi Komuna e Prishtinës kishte publikuar një njoftim publik duke thënë se nuk kanë kompetenca për hapjen apo mbylljen e çerdheve private dhe se Ministria e Arsimit duhet të zgjidh çështjen e kompetencave në mënyrë që të mund të adresohen shqetësimet e prindërve.

MASH përmes një njoftimi ka thënë se lincesimi i  tyre bëhet në  bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe komunat përkatëse.

“MASH sqaron se licencimi i Institucioneve Edukativo – Arsimore Parashkollore Private (IEAPP) është kompetencë e saj. Megjithatë, procedura e licencimit ngërthen në vete disa faza, të cilat përveç MASH, kërkojnë dhe pjesëmarrjen e disa institucioneve publike, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna përkatëse”, thuhet në njoftim.

Tutje, kjo Ministri ka thënë se  në situatën me pandeminë COVID-19, këto institucione mund të mbyllen edhe nga Inspektoriati Sanitar i komunave.

“ Marrë parasysh situatën e krijuar me COVID- 19, të gjitha Institucionet publike (përgjegjëse), duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, që ndërlidhet pikërisht me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare. Është kompetencë e autoriteteve komunale, sipas Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2016, që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike-sanitare.Për deklarimin publik ku thuhet se nuk është kompetencë e komunave të mbikëqyrë dhe kontrollojë kopshtet private si dhe komuna nuk posedon listë të IEAPP-ve, MASH njofton se lista e të gjitha IEAPP-ve të licencuara publikohet faqen zyrtare të MASH dhe e njëjta është e qasshme për publikun dhe palët e interesuara”, vazhdon njoftimi.

Në fund thuhet se  Ministria do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Drejtoritë e Arsimit për gjendjen e këtyre institucioneve.