Arkiv - Ilustrim

Ministria e Arsimit fton mësimdhënësit që nesër të nisin mësimin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ftuar mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër (e hënë, 5 shtator), t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor.

Përmes një komunikate, MASHTI thotë se fillimi i vitit të ri shkollor është në interesin e fëmijëve të vendit.

Nga 25 gusht 2022 sektori publik në gjithë vendi, duke përfshirë edhe institucionet arsimore, ka hyrë në një grevë të përgjithshme me kërkesa për rritje pagash.

“Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”- thotë MASHTI.

Ministria e Arsimit ka përmendur kontributin e mësimdhënësve dhe ka përmendur edhe ndarjen e një shtese  prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë.

Po ashtu përmes kësaj komunikate, MASHTI shpreh shqetësimin se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale po ushtrojnë presion të fuqishëm te mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar punën.

Ministria kërkon edhe përfshirjen e mekanizmave kompetentë, autoriteteve publike, gjyqësore, Avokatit të Popullit, organizatave të shoqërisë civile, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qëndrime të qarta, për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që përfshinë rreth 320 mijë nxënës.