Ministria e Arsimit fillon ndërtimin e një çerdheje të re në Klinë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kanë vënë gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Klinë.

“Është kënaqësi që sot jemi në Klinë dhe vumë gurëthemelin e një projekti shumë të rëndësishëm, siç është çerdhja e fëmijëve. Uroj banorët e komunës së Klinës dhe kryetarin, që tani e tutje do të kenë edhe një çerdhe. Uroj, po ashtu, që të kemi sa më shumë infrastrukturë për edukimin e hershëm, për arsye se kjo është në të mirë të edukimit të përgjithshëm të fëmijëve tanë”, ka thënë Bytyqi.

Me rastin e vizitës në Komunën e Klinës, ministri Bytyqi ka vizituar edhe punimet e shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Rraci”, e cila sipas Ministrisë së Arsimit pritet të jetë e gatshme në fillim të këtij viti shkollor.

Bytyqi dhe kryetari i Komunës Zenun Elezaj kanë zhvilluar edhe një takim gjatë ditës së sotme, ku biseduan për zhvillimet në arsim, me theks në arsimin e komunës së Klinës, si dhe përpjekjet e përbashkëta për ngritje të cilësisë.

Ky projekt i cili është investim i Ministrisë së Arsimit ka vlerën  mbi 500 mijë euro.