Foto: Arkiv

Ministria e Arsimit deklarohet për mbarëvajtjen e Testit të Arritshmërisë, shqiptohen masa ndaj dy administruesve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit është deklaruar në lidhje me mbarëvajtjen e pjesë së dytë të Testit të Arritshmërisë, që është mbajtur më 14 qershor 2022.

Probleme janë evidentuar te mospërmbatja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesve, vonesa të administruesve në qendra të testimit dhe përdorimi i telefonit nga nxënësit.

“Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, bën të ditur MAShTI.

Ministria ka njoftuar se lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë, janë marrë masa adekuate ndaj dy administruesve dhe nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin, do t’ia llogariten vetëm pikët në lëndët në pjesën e parë të testit.

“MAShTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e parë të testit”, thuhet në njoftim.

Siipas ministrisë, në raportin e nxjerrë nga terreni është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të testit.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se, në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, e cila është mbajtur më 14 qershor 2022”, njofton MAShTI.

Pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë është mbajtur më 4 qershor. Edhe këtë vit janë paraqitur kopjime masive përmes rrjeteve sociale.