Shkolla Fillore Elena Gjika. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Arsimit bën thirrje për respektim të masave për COVID-19 në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të përfshirë në sistemin arsimor që të vazhdojnë të respektojnë masat kundër pandemisë COVID-19, në mënyrë që mësimi të vazhdojë të zhvillohet sipas skenarit A, pra me prezencë në shkollë.

“Mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe menaxhmenti i shkollave duhet të kenë kujdes të vazhdueshëm në respektimin e distancës, higjienës dhe bartjes së maskës”, është bërë e ditur në një komunikatë për media.

Po ashtu, MASh ka kërkuar nga studentët, mësimdhënësit, menaxhmentet e universiteteve dhe fakulteteve, si dhe kolegjeve për respektimin strikt të masave parandaluese ndaj pandemisë.

“MASh, po ashtu, kërkon nga institucionet e arsimit në të gjitha nivelet që të ndërmarrin masa parandaluese dhe mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKShPK-së dhe MSh-së”, është thënë në fund.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë sic kishte filluar gjysmëvjetori i parë. Pra, me tri skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Para se të fillonte mësimi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës si dhe udhëzime të tjera.

BIRN në bashkëpunim me Edutask patën publikuar raportin e monitorimit të zbatimit të masave anti-COVID në shkolla gjatë vitit 2020, që shpërfaq mangësitë në zbatimin e këtyre masave.

Premtimet për menaxhimin e pandemisë në shkolla karshi realitetit