Ministria e Ambientit së shpejti me analizë mbi situatën e hidrocentraleve në Kosovë

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit së shpejti do të dalë me analizë të detajuar të situatës së hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit.

Zëvëndësministri i kësaj ministrie, Avni Zogiani në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se kjo analizë do të jetë bazë për veprimet që ky institucion do t’i marrë në lidhje me hidrocentralet.

“Shumë shpejt do të dalim më një analizë të detajuar të situatës, e cila do të jetë bazë për veprime të mëtutjeshme. Lumbardhi është dëmtuar dhe kërkohet një veprim për ta mbrojtur”, ka thënë Zogiani, duke shtuar se nuk mund të japë detaje për shkak se janë në proces të analizës.

“Ne mendojmë që duhet të vendosen standarde që do ta mbronin Lumbardhin”, tha tutje ai.

Zëvëndësministri i pyetur nëse kjo analizë do të jetë për të gjitha hidrocentralet, ai tha se analiza do t’i paraprijë veprimet e mëtutjeshme.

“Analiza do të na tregojë gjendjen dhe opsionet që mund t’i ndjekim më tutje”, përfundoi ai.

Zëvendësministri Zogiani ka vizituar hidrocentralet në Lumbardh të Decanit me datën 18 maj ku është takuar edhe me përfaqësues të organizatës mjedisore “Pishtarët”.

Përfaqësuesja e kësaj organizate, Shpresa Loshaj, ka thënë për KALLXO.com se kjo vizitë është një hap i duhur, pasi sipas saj asnjë nja personat zyrtar kompetent nuk e ka bërë një vizitë të tillë ende.

“Fakti që zv.ministri ka ardhë të shohë nga afër si se operojnë hidrocentralet në Deçan dhe të shohë dëmet e shkaktuara, është hap në drejtim të duhur. Deri më sot, asnjë zyrtar përgjegjës nuk ka ardhë të shohë se çka ka ndodhë n Gryken e Deçanit. Por ne presim se vizita e zv ministrit dhe ballafaqimi i tij me shkatërrimet do të rezultojë në ngritje të urgjencës për vendime konkrete. Ne kemi pritur mjaftë gjatë dhe çdo dite që këto hidrocentrale operojnë jashtë ligjit e thajnë token e Kosovës edhe më shumë. Në përfundim, ne presim nga zv. Ministri të përmbushë premtimin se sa më parë do të informojë ZRrE se shkresa e ministrit të kaluar që në çfarëdo mënyrë ka influencuar vendimet e ZRrE për të lëshuar këto licenca fiktive, nuk është valide sepse këto hidrocentrale në fjalë nuk kanë leje mjedisore”, tha Loshaj.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra, në muajin shtator të vitit 2018.

OJQ “Pishtarët” kërkon nga ZRrE anulimin e lejeve të përkohshme për operimin e hidrocentraleve në Deçan

Organizata ‘Pishtarët’ ngre dyshime se ZRrE lëshoi licenca fiktive në lidhje me operimin e hidrocentraleve në Deçan

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.