Ministria dhe ZRrE thonë se vepruan në bazë të ligjit me KelKos, deputetët ngrenë dyshime rreth dhënies së lejeve

 

Arsim Janova, kryesues i ZRrE ka thënë se kanë qenë të obliguar t’i japin leje përderisa operatori i ka sjellë lejet nga Ministria.

“Ne kemi vepruar në bazë të ligjit dhe kjo do të vërtetohet në një raport tuajin. ZRrE ka lëshuar leje afatgjate në mbledhjen e fundit dhe lejen që e ka pasur KelKos të përkohshme i ka skaduar. Ne i kemi ndaluar hidrocentralet Belaja dhe Deçan pas skadimit të lejeve dhe pastaj jemi të obliguar të veprojmë në bazë të ligjit. Në bazë të dokumentacionit që e ka sjell KelKos ne i kemi lëshuar leje mjedisore afatgjate”, ka thënë Janova.

Gjithashtu Janova tha se ZRrE do ta tërheq licencën për operim në momentin që MEA ia tërheq ose i tejkalon leja mjedisore.

Propozuesi i këtij komisioni, deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se të gjitha lejet sipas asaj që prezantoi ministri Kuçi janë dhënë me nguti.

“Të gjitha lejet që i përmendi ministri janë dhënë me një nguti edhe pse thatë që nuk ka pasur ndonjë presion politik. Ajo që na intereson neve është se a ka pasur presion nga ndonjë ambasadë e huaj?”, tha Avdyli.

Deputetja Besa Gaxherri ka ngritur dyshime rreth asaj se si është pajisur me leje mjedisore KelKos përderisa gjendja në terren nuk është e mirë dhe dëmet që i ka bërë ky investitor janë të dukshme.

Gjithashtu Gaxherri ka thënë se kanë pasur problematikë edhe pajisjen me dokumente nga MEA dhe ZRrE.

“Ne jemi këtu për ta mbrojtur ambientin, për ta mbrojtur komunitetin e investitorët. Situata në Deçan nuk është e mirë ne e kemi parë vet pas vizitës që e kemi bërë në terren. Ne që nga koha kur jemi themeluar nuk kemi pasur bashkëpunim nga ju dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Neve nuk na keni lejuar qasjen në dokumente, edhe ligji e thotë që secili qytetarë ka të drejtë për qasje e lerë më ne deputetët përderisa jemi në një komision hetimor. Gjendja në terren është e papranueshme dhe ata janë pajisur lejet mjedisore. Shtrirja e gypave dhe e kabllove atje është e papranueshme”, ka thënë Gaxherri.

Ndërsa deputeti Abrashi ka kërkuar nga ministri të dijë nëse ndonjë operatorë ekonomik deri më sot ka aplikuar për shfrytëzimin e ujit me koncesion ashtu siç e parasheh ligji.

“A mund të na tregoni a është respektuar Ligji i Ujërave i cili thotë që secili shfrytëzim i ujërave duhet të jepet me koncesion?”, ka kërkuar Abrashi.

Ministri Blerim Kuçi ka thënë se asnjëherë askush nuk ka aplikuar për konvesion të ujërave dhe se specifikisht në këtë proces zyrtarët e ministrisë kanë vepruar në bazë të ligjit.

“Me koncesion nuk ka aplikuar askush dhe të gjitha lejet janë dhënë me leje ujore. Jam interesuar por deri më tash nuk kam pasur ndonjë indikacion që qsjtë shkelur ligji, nëse ka pasur shkelje dhe kjo do të zbulohet do të merren masat e nevojshme. Ky proces ka qenë në përfundim dhe përderisa nuk ka pasur ndonjë indikacion për shkelje të ligjit kam qenë i detyruar të ec përpara. Zyrtarët kanë kryer punën në bazë të ligjit”, ka thënë Kuçi.

Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Fatos Qerimi, sekretar i përgjithshëm; Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Pepaj, drejtor menaxhues, i Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë janë duke raportuar në këtë komision.

Të enjten, me datën 12 nëntor, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, ZRRE, i dha kompanisë austriake KelKos një licencë 40-vjeçare për të prodhuar energji elektrike nga dy hidrocentrale të saj, “Belaja” dhe “Deçani”, të cilat kanë qenë objekt i protestave prej vitesh nga aktivistët e mjedisit.

 

Pafuqia e shtetit ndaj degradimit mjedisor

 

Ministri Kuçi flet para deputetëve për lejet që iu dhanë KelKos-it