Ministria bënë thirrje për vaksinim për personat që e kanë kaluar COVID-19

Ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje qytetarëve të cilëve e kanë kaluar COVID-19 në muajt e fundit, që të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19.

Sipas njoftimi të tyre, të dhënat shkencore sugjerojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19, mund të vaksinohen dy javë pas shërimit.

“Imuniteti natyral i fituar nga kalimi i sëmundjes vjen duke u dobësuar me kohë dhe për më tepër, jo të gjithë ata që e kalojnë COVID-19 fitojnë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infeksioni. Prandaj, me qëllim të parandalimit të ri-infeksionit, MSh u bën thirrje këtyre qytetarëve që të vaksinohen”, thuhet në kumtesën e MSh.

Tutje thonë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, “veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet”.

Në të njëjtën kohë, MSh u bën thirrje të gjithë qytetarëve që krahas vaksinimit, t’i zbatojnë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor.