Ministri Zemaj për rastet e reja me COVID-19: Nuk ka vend për panik, por respektoni rekomandimet e IKSHPK-së

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencën për media tha se gjendja me coronavirus në Kosovë është normale dhe nuk duhet të ketë vend për panik.

“Paniku e dëmton zhvillimin e Kosovës. Krejt çka duhet është të rrisim kujdesin dhe mbajmë distancën e pastërtinë personale. T’i respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së“, tha ministri.

Ai bëri të ditur se nga sot do të shtohen kontrollat dhe mbikëqyrja nëpër ambiente publike për të parë nëse po respektohen masat mbrojtëse kundër virusit, shkruan rtv21.tv.

“Mos të kemi nevojë për masa shtesë”, shtoi Zemaj.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve t’u besojnë profesionistëve shëndetësorë, dhe të jenë të vetëdijshëm që virusi është prezent akoma.

Kurse drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se deri më tani përballjen me coronavirusit vendi ynë e ka kaluar me sukses, por duhet ende kujdes pasi virusi është prezent.

Ramadani ka lutur të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm duke mbajtur distancë, maska, dorëza dhe higjienën personale.

Kujtojmë se në Kosovë sot janë konfirmuar 40 raste të reja me coronavirusin e ri./21Media