Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Denoncimi i Armend Zemajt ngre dyshime për mënyrën se si u shpenzuan ilaqet e COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në emisionin e KALLXO.com ka denoncuar mospërputhje në mes numrit të pacientëve dhe shpenzimeve për ilaqin që përdoret për COVID-19 Fraksiparinë.

Sipas Zemajt në regjistra ka më shumë shpenzime të ilaçit sesa ka pasur pacientë dhe kjo sipas tij ka ngjallur dyshime të mëdha.

“Kam autorizuar një kontroll për këtë çështje” ka thënë Zemaj gjatë debatit

Zemaj ka potencuar se Spitalet është dashur të jenë të furnizuara me këtë ilaq pasi ka pasur buxhet të mjaftueshëm për të.

“Buxheti që është në ShSKUK ka qenë buxhet i ndarë mjaftueshëm për Fraxiparine. Problemi ka qenë i mungesës në rajon. Kam kërkuar auditim të shpejtë për furnizim me Fraxiparine” , tregoi Zemaj.

Ndërsa sa i përketë analizës D- Dimer, analizë kjo e cila bëhet për pacientët e infektuar me coronavirus, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, tha se ka pasur tendencë që një shumë e parave të shkojë nëpër laboratorëve privatë.

Tutje ai tha se duhet bërë një analizë se pse barnatoret janë të funrnizuara me Fraxiparine ndërsa institucionet shëndetësore në vend nuk janë të furnizuara.

Për mungesën e barnave foli edhe Diana Metushi-Krasniqi nga KDI.

Ajo tha se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk po e respekton listën e barnave esenciale. Tutje, ajo shtoi se është paguar diku 200% më shtrenjtë për barin Rivaroxaban.

“ShSKUK nuk po e respekton listën e barnave esenciale për me i pranu alternativat të cilat janë në treg. Ne kemi paguar diku deri në 200% më shtrenjtë për furnizim me Rivaroxaban që është një bari që merret për trajtimin e trashjes apo mpikjes së gjakut”, theksoi hulumtuesja e KDI-së.