Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook

Ministri Vitia uron U.D. drejtoreshën e re të ShSKUK-së, e siguron për përkrahjen e tij

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sot U.D. Drejtoreshën e re të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Narqize Arenliu – Hoxha si dhe bordin e ShSKUK-së.

Vitia ka uruar U.D. drejtoreshën për marrjen e pozitës së re dhe ka theksuar se rritja e buxhetit për shëndetësinë duhet të reflektojë në mënyrë të shpejtë edhe në ngritjen e performancës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Ai ka thënë se përmirësimi i shërbimeve shëndetësore është mision i tyre i përbashkët, pavarësisht se detyrat dhe përgjegjësitë janë të ndara.

“Ju siguroj se do të keni përkrahjen time maksimale në punët që na presin bashkërisht për të përmirësuar shërbimet dhe rritur kapacitetet në ShSKUK” – ka thënë ministri Vitia.

Sipas njoftimit të ministrisë, të dy janë pajtuar për shtimin e dinamikës së punës dhe për ndryshime pozitive gjatë këtij viti, që do të reflektohen edhe me forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.

Në këtë takim, morën pjesë edhe udhëheqësja e Bordit të ShSKUK-së, Aida Rexhepi dhe anëtarja e Bordit, Agreta Gecaj.

Pranvera Zejnullahu-Raçi ka dhënë të enjten dorëheqje nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Burime jozyrtare të KALLXO.com konfirmojnë që Pranvera Zejnullahu Raçi ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk ka pasur përkrahje nga Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, për të shtyrë përpara reformat e propozuara që kishin të bënin me digjitalizimin e resurseve humane, të barnave, të materialit shpenzues nëpër klinika etj.

Kjo shihet edhe në letrën përshëndetëse që Zejnullahu-Raçi i ka dërguar ajo sot stafit të saj, të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burime jashtë SHSKUK-së.

“Rrethanat e krijuara së fundmi e bëjnë të pamundur ecjen para të projekteve të disejnuara për periudhën kohore në vijim” – thotë letra dorëheqëse e Pranvera Zejnullahu-Raçit