Ministri Vitia takohet me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, sot është takuar me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Braathu tha se masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të sëmundjes COVID-19 kanë ndikuar që të kemi një situatë më të mirë në Kosovë dhe se në këto rrethana asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik, veçanërisht kur janë sfiduar edhe sistemet më të zhvilluara të shëndetësisë në botë.

Ministri Vitia deklaroi se masat janë një prej arsyeve që sot shtrirja e epidemisë është më e sheshtë si dhe theksoi rëndësinë e unitetit për t’u ballafaquar me këtë situatë. Ai po ashtu e njoftoi ambasadorin Braathu për së afërmi edhe me mekanizmat e parapara për menaxhimin e situatës pandemike, po ashtu e njoftoi se gjatë kësaj kohe janë siguruar ndihmë nga OBSH, UNICEF, Bashkimi Evropian, SHBA-ja, AQH – SDC (Swiss Development and Cooperation Agency).

Në këtë takim u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me komunat ku jetojnë edhe komunitetet e tjera.

Sipas komunikatës, ministri Vitia e ka siguruar ambasadorin se nuk do të bëhet asnjë dallim me asnjë nga komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë sepse virusi nuk njeh as nacionalitet e as kufi.