Ministri Vitia: Shumë shpejt pritet të vijnë 76 mijë doza të vaksinave

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar sërish se shumë shpejt pritet që në Kosovë të vijnë edhe 76 mijë doza të tjera të vaksinave kundër COVID-19.

“Ne i kemi vazhduar në atë dinamikë e cila ka qenë dhe ka pruar 24 mijë dozat e para dhe priten 76 mijë doza shumë shpejt”, tha Vitia, duke shtuar se duhet pritur edhe pak kohë për të parë dinamikën e shtuar për sigurimin e vaksinave.

Vitia shtoi se nuk kanë lypur lëmoshë për çështjen e vaksinave.

“Ne kemi biseduar me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe do të bisedojmë dhe s’do të lëmë derë pa trokitur tek miqtë tanë ndërkombëtar për të na ndihmuar sepse miku i mirë shihet në ditë të vështirë… Në momentin që do të vijnë vaksinat nga muaji maj, kur fillon procesi i ardhjes së vaksinave ky proces nuk do të ndalet”, shtoi ai.

Këto deklarata Vitia i ka dhënë gjatë debatit parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës, që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.

Kosova të hënën ka përfunduar dhënien e 24 mijë dozave të vaksinave anti-COVID-19 pas pranimit të tyre në fund të muajit mars.

Kosova është vendi i fundit në rajon dhe Evropë që ka nisur procesin e vaksinimit.