Ministri Vitia propozon shpalljen e emergjencës për shëndetin publik

Pasi janë konfirmuar edhe 4 raste të reja me coronavirus, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka kërkuar kryeministrit që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.

“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”, ka njoftuar ministri Vitia.

Ai ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë në menaxhimin e kësaj situate.

“Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente”, ka thënë Vitia.

Në total, në Kosovë, numri i të prekurve me coronavirus ka shkuar në 9: 3 në Viti, një në Klinë, një në Podujevë dhe 4 në Malishevë.