Foto: Arben Vitia / facebook

Ministri Vitia merr vendim që t'u ofrohen proteza falas invalidëve civilë të luftës

Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, ka marrë vendim që të mbulojë shpenzimet për proteza për të gjithë invalidët civilë të luftës.

“Pas vendimit për mbulimin e kostove për proteza për veteranët e UÇK-së, sot kam nënshkruar vendimin që mbulon shpenzimet për proteza edhe për të gjithë invalidët civil të luftës” – ka njoftuar Vitia në Facebook sot më 03.12.2024.

Më 20.03.2024, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të paguajë koston e trajtimit mjekësor të invalidëve të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike.

“Është ndarë një shumë nga rreth 2 milionë euro në total për 3 vitet e ardhshme dhe natyrisht ky është hapi i parë që po e bëjmë ndërkohe që puna për funksionalizimin e këtij shërbimi në institucionet shëndetësore publike po vazhdon deri në kompletimin e plotë të lëtyre shërbimeve në mënyrë që kjo kategori e cila ka dhënë jashtëzakonisht shumë për lirinë dhe për këtë vend të ketë mundësi në mënyrë dinjitoze që në të ardhmen t’i marrë këto shërbime brenda institucioneve tona shëndetësore publike” – pati thënë Vitia.

Zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, kishte thënë se kërkesat e invalidëve do të trajtohen përmes Fondit për Sigurime Shëndetësore.