Ministri Vitia mburret me "reformat në shëndetësi", deputeti Zemaj ia përkujton Raportin e Progresit
Projektligji për Shëndetësi, ai për Inspektoratin Qendror dhe Projektligji për Duhanin janë tri projektligjet që janë në proces të konsultimeve, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjatë raportimit të tij para Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Vitia tregoi që gjatë këtij mandati janë votuar katër projektligje e 20 akte nënligjore.
Ligji për Çmimet e Barnave dhe Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse janë ligjet që kanë kaluar edhe në Kuvend.
Ndërsa dy ligjet e votuara në Qeveri janë Projektigji për Sigurimin e Detyruar Shëndetësor dhe Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, për të cilin tha se nuk ka asnjë arsye që të mos votohet nga deputetët.
Për këtë të fundit tha se është projektligj shumë i rëndësishëm për çiftet dhe familjet.
Sa i përket Ligjit për Çmimin e Barnave, i cili ende nuk ka filluar zbatimin e plotë, Vitia deklaroi se është në rrugë të duhur dhe janë tejkaluar problemet që sipas tij kanë ardhur duke qenë se është proces që po bëhet për herë të parë.
Ministri u mburr për një orë rresht për projektet dhe investimet në shëndetësi, të cilat tha se janë pjesë e reformës.
“Proceset reformatore është shumë e rëndësishme të jenë të bazuara në analizë dhe evidencë” – tha Vitia.
Sa i përket Projektligjit për shëndetin mendor, ai tha se është punuar në adresimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe se një ekspert europian do të nisë punën në nëntor lidhur me këtë.
“Për shkak se ka pasur dykuptimësi për rolin e insitucioneve që ofrojnë shërbime për shëndetin mendor, e kemi vlerësuar nevojën për ekspertizë evropiane. Eksperti do të filllojë punën në nëntor” – shtoi ai.
Ministri përmendi investimet milionëshe në renovimet e aparaturat e reja në klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, siç janë Kirurgjia Torakale, Urologjia, Neurokirurgjia, Gjinekologjia, Onlologjia, Oftalmologjia, Kirurgjia Vaskulare, Kardiokirurgjia, Emergjenca, Psikiatria e Fëmijëve dhe Adoleshentëve, Ortopedia. Investime të tilla, sipas tij, do të vazhdojnë edhe nëpër spitalet e përgjithshme, pasi që për shkak të mungesës së investimeve për vite të tëra dhe kushteve jo të duhura, ka bërë që shumë shpesh të referohen rastet në QKUK.
Përmes këtyre, ai tha se janë shtuar edhe shërbime të reja, që ndikojnë edhe në uljen e referimeve jashtë vendit.
Lidhur me këto, deputeti Armend Zemaj (LDK) tha se ky ishte raportim katërvjeçar e jo vetëm për periudhën që s’ka raportuar në komision.
“Pas katër viteve ne do duhej të flisnim për reformën. Temat tjera nuk janë të parëndësishme, por janë goxha kontradiktore nga ajo çka kemi dëgjuar kur keni marrë mandatin” – tha Zemaj.
Deputeti tha se Raporti i Progresit ka thënë se s’ka pasur progres në shëndetësi.
Ai shtoi se edhe ndërrimi i shpeshtë i ministrave nuk ka lënë shenjë të mirë.