Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, Foto: Twitter

Ministri ukrainas: Rusia po merr hapa drejt ringjalljes së Bashkimit Sovjetik

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov e ka akuzuar liderin rus Vladimir Putin se po përpiqet të ringjallë ish-Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).

Në një letër drejtuar forcave të armatosura të Kievit, Oleksii Reznikov tha se vendimi i Moskës për të njohur dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore tregon se Kremlini ka bërë një hap tjetër drejt ringjalljes së bllokut, i cili u shemb në 1991, raporton BBC.

“Kremlini bëri një hap tjetër drejt ringjalljes së Bashkimit Sovjetik. Me Paktin e ri të Varshavës dhe Murin e ri të Berlinit. E vetmja gjë që ndan nga kjo është Ukraina dhe ushtria ukrainase”, shkroi Reznikov.

“Zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë – të mbrojmë vendin tonë, shtëpinë tonë, të afërmit tanë. Asgjë nuk ka ndryshuar për ne”, shtoi ai.

Ministri theksoi se ka sfida përpara por se besojnë në fitoren e vendit të tij.

“Ka disa sfida të vështira përpara. Do të ketë një humbje. Do të duhet të kaloni dhimbjen, të kapërceni frikën dhe tradhtinë. Por fitorja na pret. Sepse ne jemi në tokën tonë dhe e vërteta është pas nesh”, ka thënë ai.

Reznikov akuzoi gjithashtu Moskën për sjellje “kriminale” dhe për përpjekje për “të mbajtur peng botën e lirë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.