Ministri turk pranon se s’kanë raportuar rastet asimptomatike me COVID-19

Ministri turk i shëndetësisë ka pranuar se qeveria ka raportuar vetëm ato raste me COVID-19 që shfaqin simptoma të sëmundjes, duke konfirmuar dyshimin e përhapur se autoritetet turke kanë fshehur prej kohësh impaktin e vërtetë të këtij virusi.

Ministri turk i shëndetësisë, Fahrettin Koca, pranoi në konferencën e tij të përditshme për shtyp më 30 shtator se qeveria nuk ka publikuar numrin e plotë të rasteve me COVID-19. Shifrat zyrtare kanë përfshirë vetëm raste simptomatike.

“Jo të gjitha rastet janë pacientë, sepse janë dhe ata që nuk shfaqin fare simptoma, edhe pse testet u kanë dalë pozitive”, tha Koca.Koca këmbënguli se numri i “pacientëve” të përditshëm me COVID-19, të cilin ai e përcaktoi si ata që shfaqin simptoma, ishte më i rëndësishëm sesa numri i “rasteve” të reja, të cilat përfshijnë ata që nuk shfaqin simptoma.

OJQ-të dhe opozita kanë akuzuar qeverinë se po manipulon të dhënat për qëllime politike, për të shpejtuar rivitalizimin e ekonomisë dhe turizmit.

Disa vende europiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, i lejuan qytetarët e tyre të kalonin pushimet në Turqi pa i detyruar të karantinoheshin pas kthimit të tyre. Kjo erdhi pas pas një rënie të raportuar të numrit të rasteve të regjistruara me COVID-19 në vend.

Një dokument i ndarë nga opozita turke, Partia Popullore Republikane, CHP, më 29 shtator tregoi se numri i përgjithshëm i rasteve ishte 20 herë më i lartë se sa shifrat zyrtare të raportuara nga ministria.

Deputeti i CHP-së Murat Emir tha se dokumentet tregojnë një pamje të qartë të rezultateve të provave të laboratorëve zyrtarë, të cilat nuk janë të hapura për publikun.

Koca i hodhi poshtë këto pretendime. “Dua të them se të gjitha informacionet që ne japim janë të sakta”, tha ministri.

Shoqata e Mjekëve Turk reagoi ndaj deklaratës së fundit të ministrit, duke kritikuar metodologjinë e ministrisë dhe duke akuzuar Kocën se po e fsheh ende numrin real të rasteve.

“Ministri i Shëndetësisë Koca tha se pacientët pa simptoma dhe që kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 nuk llogariten në shifrat zyrtare. Ne kemi gjashtë muaj që e themi këtë. Nuk e keni menaxhuar procesin në mënyrë transparente. I keni fshehur faktet. Nuk e ndaluat përhapjen e pandemisë”, shkroi TTB në Tëitter, duke iu drejtuar ministrit.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, Turqia kreu më shumë se 112,000 teste dhe regjistroi 1,391 “pacientë” gjatë 24 orëve të fundit. /