Dollc, Kline - Foto: KALLXO.com

Ministri tregon se çfarë do të ndodhë me projektin për ndërtimin e fabrikes së çimentos në Dollc të Klinës

Javën e kaluar në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri. Hulumtimi zbardh të gjitha procedurat se si shkuan në privatizimin e objektit të ish-bibliotekës.

Për këtë çështje në “Kallxo Përnime” u pyet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

Por, Krasniqi largoi barrën nga vetja, duke thënë se në mandatin e tyre është vetëm vlerësimi i ligjshmërisë, kurse ajo e këmbimit të pronave është e Ministrisë së Financave.

“Mandati i Ministrisë sonë është t’i verifikojë ligjshmërinë e akteve të komunave edhe kur kuvendi i komunës nxjerr një vendim e dërgon të MAPL varësisht nga fushëveprimtaria e trajtojmë vetë apo e dërgojmë te ministritë e linjës. Unë nuk mund të komentoj raste specifike se nuk kam qenë i informuar për këtë, por çka mund të them është se vlerësimi i një prone nuk bëhet as nga komuna, as MAPL por një komisioni në Ministrinë e Financave që e bën vlerësimin për këmbimin e pronave dhe besoj që është adresë e duhur që të përgjigjen”, tha ai.

Krasniqi në këtë intervistë është pyetur edhe lidhur me emisionin “Kallxo Përnime”  të së hënës lidhur me ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc të Klinës.

Ministri deklaroi se këtë temë e ka prekur edhe në një takim me kryetarin e Komunës së Klinës. Sipas tij, janë duke punuar që të kuptohet e vërteta dhe që në fund të veprohet sipas ligjit, ndonëse sipas tij, këtu nuk është kompetente vetëm dikasteri që ai drejton.

“Unë jam interesuar personalisht, isha në vizitë te kryetari i Komunës së Klinës para dy jave, dhe njëra prej temave që diskutuam ishte edhe ky proces. Kryetari e ka qëndrimin publik. Ne si ministri kemi kërkuar nga Komuna e Klinës që të rishikojë një akt që është marrë në kuvendin komunal dhe ata nuk e kanë rishiku dhe është dërgu. Tash po informohemi në detaje për këtë proces dhe të mundohemi të kuptojmë se ku qëndron e vërteta, por këtu ka një serë ministrish të përfshira dhe do të veprohet në bazë të ligjit”, tha ai.

Një fabrikë që prodhon çimento mund të nisë të ndërtohet së shpejti në fshatin Dollc të Klinës pasi Komuna që drejtohet nga Zenun Elezaj lëshoi edhe dokumentin e fundit, atë të lejes ndërtimore.

Banorët e fshatrave Gremnik, Dresnik, Dollc, por edhe fshatrave të tjerë të Klinës, po e kundërshtojnë çimentoren pasi thonë se ajo ua pamundëson jetesën në shtëpitë e tyre, që nuk janë larg lokacionit të parashikuar për ndërtim.