Ministri Tahiri takohet me drejtorët e Qendrave Korrektuese të Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka takuar gjatë ditës së sotme Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, së bashku me  drejtorët e Qendrave Korrektuese të Kosovës.

Gjatë këtij takimit, Tahiri ka thënë se sistemi korrektues ka shënuar avancim për dy viteve e fundit.

“Sistemi korrektues ka shënuar një avancim jashtëzakonisht të madh përgjatë dy viteve të fundit. Me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm ia kemi arritur të transformojmë perceptimin dhe imazhin e Qendrave Korrektuese. Kemi përmirësuar instruktuarën dhe kemi shtuar kapacitetet. Është rritur siguria si dhe janë luftuar dhe parandaluar dukuritë negative brenda tyre” ka thënë ministri Tahiri.

Përveç funksionit korrektues, Tahiri ka theksuar se Qendrat kanë edhe funksion risocializimi, detyrë kjo që u arrit të përmbushet falë angazhimit të punëtorëve në baza ditore.

“Sot, Qendrat Korrektuese plotësojnë të gjitha standardet bashkëkohore, dhe të njëjtat krahas funksionit korrektues kanë edhe funksion të plotë risocializimi. I tërë ky progres nuk do të mund të bëhej pa përgjegjësit dhe oficerët e këtij shërbimi, që në baza ditore menaxhojnë me këto Qendra” ka thënë ministri Tahiri.

Gjatë takimit, Tahiri dhe drejtuesit e institucioneve korrektuese ndanë perspektivën e reformimit të mëtejmë dhe hapat që po ndërmerren për avancimin e Shërbimit Korrektues në të gjitha dimensionet e tij.

Në këtë takim, i pari i SHKK-së, Nehat Thaçi ka falënderuar Tahirin për vlerësimin dhe mbështetjen e dhënë për Shërbimin Korrektues të Kosovës.