Foto: Facebook / Xhelal Sveçla

Ministri Sveçla vizitoi komunat veriore, takoi banorët e asaj zone

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se dje ka vizituar komunat veriore dhe ka takuar qytetarë të Kosovës të asaj zone.

Sveçla ka thënë se ka biseduar me ta për kërkesat e tyre dhe përkrahjen institucionale.

“I sigurova që jam në shërbim të secilit qytetarë të Republikës së Kosovës dhe së bashku me akterët institucional do të jemi pranë tyre, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike”, ka shkruar ministri në profilin e tij në Facebook.

Ministri ka theksuar se qytetarët serbë nuk janë palë e dorës së tretë.

“Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njejtat të drejta. Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë” – ka shtuar ministri, i cili u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në Kosovë.

Xhelal Sveçla ka treguar se ka vizituar edhe fshatrat shqiptare në veri ku, sipas tij, për më shumë se dy dekada vërehej qartë mungesa dhe përkrahja e shtetit në këtë pjesë të vendit.