Ministri Sveçla takohet me komandantin e ri të KFOR-it, flasin për sigurinë në vend

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është takuar me komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Në këtë takim, Sveçla ka thënë se e ka njoftuar komandantin e ri për situatën aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe për përkushtimin e Kosovës për ofrimin e sigurisë, rendit dhe ligjit.

Tutje, i pari i MPB-së tha se siguria dhe stabiliteti janë synimet e përbashkëta andaj tha se me rastin e marrjes së mandatit nga gjeneralmajor Ristuccia, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv në arritjen e qëllimeve.

Sveçla ka falënderuar gjeneralmajor Ristuccia për gatishmërinë dhe përkushtimin që së bashku të punojnë në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Ristuccia sot është takuar edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga KFOR, gjatë këtij takimi njohës, komandanti i KFOR-it diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për një komunikim të besueshëm dhe transparent dhe për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës.

Tutje u tha se komandanti informoi Rakiqin dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim në të ardhmen.

Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Rakiqin dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës