Ministri Sveçla pas sulmit ndaj policëve në Skenderaj: Ngjarje e patolerueshme

Dy zyrtarë policorë janë plagosur mbrëmë rreth mesnatës në Skenderaj, njëri nga ta me armë e tjetri me mjete të forta. Në mesin e të dyshuarve për sulm ndaj policëve është edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Ndaj këtij rasti ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj policëve.

“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të  rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e pa tolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës”, tha ai,

Ministri Sveçla tha se pret që organet e drejtësisë të marrin masa sipas ligjeve në fuqi ndaj sulmuesve ndërsa theksoi se sapo të kthehet nga udhëtimi zyrtar në Bruksel do të vizitojë zyrtarët policorë.

“I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel. Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti. Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrim masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit”, shtoi ai.

Policia e Kosovës përmes një deklarate ka dhënë detaje mbi sulmin në Skenderaj duke thënë se dy zyrtarët policorë janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën rreth mesnatës.

Sipas Policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësorë.

Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.Nuredin Lushtaku për KALLXO.com ka mohuar të ketë përdorur armë ai, djemtë ose vëllezërit e tij në drejtim të zyrtarëve policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

Pas sulmit ndaj policëve në Skenderaj, reagon Sindikata e Policisë