Foto: KALLXO.com
Ministri Sveçla në gjyq si dëshmitar në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës
Sot ka vazhduar rigjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Skender Canolli, Vehbi Abdullahu dhe Mergim Shala, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Ata po akuzohen se gjatë viteve 2010 – 2014 nuk kanë ekzekutuar vendimet e inspektorëve të ndërtimit për ndërprerjen e ndërtimeve ashtu që nuk kanë ndërmarrë masa të nevojshme për mbylljen e vend-ndërtimeve, largimin e personelit dhe mjeteve materiale e deri në përmbushjen e urdhrit për pezullimin e ndërtimit.
Sipas Prokurorisë e gjitha kjo me qëllim t’u sigurojnë investitorëve të ndryshëm përfitime materiale me ndërtimet e kundërligjshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, i cili gjatë periudhës për të cilën është ngritur aktakuza ka qenë në pozitën e drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës.
Ministri Sveçla tha se gjatë vitit 2013 në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit kishte kërkuar raporte nga përgjegjësit e zonave për gjendjen aktuale lidhur me ndërtimet në Prishtinë.
Sveçla njoftoi se fillimisht këto raporte kanë qenë të cunguara, ku është dashur të bëhet riverifikim.
“Me sa më kujtohet raportet në fillim kanë qenë të cunguara dhe pastaj është dashur të bëhet riverifikim i tyre, ku është kuptuar se po zhvillohen shumë ndërtime pa leje”, tha Sveçla.
Sveçla shtoi se parregullsitë më të rënda kanë qenë ndërtimet pa leje të ndërtesave kolektive, tejkalimet e ndryshme të lejeve ekzistuese. “Këto praktika kanë shkaktuar kaos”, tha ai.
Në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli se kush është përgjegjës për këto parregullsi, Sveçla deklaron se drejtori i Inspektoratit është vetëm si menaxher.
“Drejtori i Inspektoratit është menaxher, kurse përgjegjës të drejtpërdrejtë kanë qenë zyrtarët që kanë pasur përgjegjësi ndërmarrjen e veprimeve ligjore”, shtoi Sveçla.
Avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron Ismet Halitin, e ballafaqoi dëshmitarin Sveçla më një deklaratë të vitit 2016 të dhënë në gjykatë.
Avokati Krasniqi pyeti dëshmitarin se ku është personi i cili duhet ta udhëheqë procesin e rrënimit dhe se çfarë duhet të rrënohet.
“Kur them që qëndroj prapa deklaratave të mia, qëndroj në kontekstin se nuk them të pavërteta”, tha ai.
Dëshmitari Sveçla deklaroi se gjatë periudhës që ishte në atë pozitë kishte pasur mijëra vërejte nga qytetarët për ndërtimet pa leje, por jo direkt ndaj të akuzuarit Haliti.
“Unë kam pasur me mijëra vërejtje e ankesa nga qytetarët për ndërtimet pa leje, por nuk e di nëse ka pasur konkret për të akuzuarin Ismet Haliti”, tha dëshmitari.
Sveçla tha se ndërtimet pa leje janë ndalur edhe janë rrënuar një pjesë e objekteve që po flitet, me kapacitetet e Inspektoratit që kanë mbetur atëherë në Komunë.
I pyetur nëse është pajisur ndonjë objekt me leje që është objekt i aktakuzës, ai ka thënë se rastet e veçanta nuk i di.
Përveç ministrit Sveçla, sot ka dëshmuar edhe Hysen Sadiku.
Të akuzuarit janë shpallur fajtorë në shkallën e parë.
I akuzuari Ismet Haliti është dënuar më 9 muaj burg. Kurse i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili është zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2,000 euro me pëlqimin e tij.
Mirëpo, Prokuroria pretendon se ky dënim i Gjykatës Themelore është i ulët, ku e njëjta i ka propozuar, Gjykatës së Apelit që të ndryshojë vendimin e shkallës së parë dhe të akuzuarve t`iu shqiptojë dënime më të larta.
Në Gjykatën e Apelit ishte mbajtur seanca ndaj dy ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli. Haliti dhe Canolli, ishin dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria, e akuzon Ismet Halitin dhe Skender Canollin se gjatë vitit 2008 deri në vitin 2014, në cilësinë e personave zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, dhe nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje për një pronë private, në emër të H.V.
Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se objekti duhet të rrënohet, mirëpo të njëjtit edhe përkundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me ç’ rast i kanë mundësuar përfitim H.V. nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.
Me këtë në bashkëveprim ata akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 10 qershor.