Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane, 1 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Ministri Sveçla mungon tri herë radhasi në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, reagon opozita

Komisioni për Integrime Evropiane ka filluar mbledhjen me pakënaqësinë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili as pas tri ftesave nuk ka gjetur kohë për të raportuar në këtë komision.

Përderisa mazhoranca arsyetonte mos prezencën e ministrit, opozita kritikonte këtë qasje të qeverisë, duke përmendur edhe rastin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila po ashtu nuk ka shkuar në Komision për raportim.

Time Kadrijaj, deputete e AAK-së tha që nga kabineti nuk kanë marrë mundin as të përgjigjen në e-mail.

“Ne nuk ja kemi caktuar datën, mos e arsyetoni. Ne i përcaktojmë temat, por ai e përcakton datën. Ai nuk i është përgjigjur tri e-mailave të komisionit parlamentar. Edhe nuk ka ardh edhe nuk ka kthyer përgjigje, kjo është një dublifikim dhe marri e radhës”, tha ajo.

Blerta Deliu, deputete e PDK-së tha që ministri e ka për obligim t’i raportojë Komisionit për përmbushjen e reformave të agjendës evropiane.

“Nuk kemi pasur praktika të tilla. Nëse ministri paska pas vizita të mëdha, është mirë që të vij dhe të na raportoj se me cilët homolog është takuar. Të mos vi 3 herë me radhë është e pakuptimtë, unë do ti drejtohem edhe në parlament ministrit”, theksoi ajo.

Agon Batusha ,deputet i LVV-së tha që situata aktuale ia ka pamundësuar ardhjen ministrit.

“Ne po dojmë ta ftojmë për procesin e integrimit evropian, kur BE-ja nuk është duke u marrë. Duhet ta kuptojmë ministrin e Punëve të Brendshme sepse situata është e tillë”, tha ai.

Sipas kryetares së Komisionit, Rrezarta Krasniqi ftesa e parë për ministrin Sveçla është bërë më 30 nëntor 2021, 13 dhjetor 2021 dhe 11 shkurt 2022.