
Ministri Xhelal Sveçla në Zubin Potok, 07.02.2025, Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Ministri Sveçla inauguroi në Zubin Potok objektin e Qendrës nacionale për trajnim në fushën e kërkim-shpëtimit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, kanë inauguruar të premten, më 07.02.2025, objektin e Qendrës nacionale për trajnim në fushën e kërkim-shpëtimit.
Sipas ministrit Sveçla, objekti i Qendrës nacionale për trajnim në fushën e kërkim-shpëtimit ndodhet në Zubin Potok, buzë liqenit të Ujmanit.
“Këtë javë, me kënaqësi kam nënshkruar vendimin përmes së cilit i kam hapur udhë funksionalizimit të komponentës së kërkim shpëtimit brenda Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave” – ka shkruar Sveçla në Facebook më 07.02.2025.
Svçela ka pretenduar se objektin e Qendrës nacionale për trajnim në fushën e kërkim-shpëtimit e kanë gjetur të pashfrytëzuar.
“Me investimin tonë që kap shifrën rreth 990 mijë euro, objekti është sanuar dhe do të jetë në shfrytëzim të kuadrove të AME-së që do të trajnohen e profilizohen në fushën e kërkim shpëtimit në ujë dhe mal” – ka shtuar Sveçla.
Kurse, mëngjesin e datës 07.02.2025, Sveçla ka thënë se kanë filluar me ndarjen e dy kamionëve për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave me të cilët zjarrfikësit do të kenë mundësinë e intervenimit në objekte të larta e distanca të mëdha.