Ministri Sveçla flet për pajisjet dhe dokumentet ruse të gjetura në Banjskë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përgjigjur rreth asaj se a është gjetur diçka ruse pas aksionit kundër grupit terrorist në zonën e Banjskës.
Ministri ka thënë se Policia pas aksionit kundër grupit terrorist ka gjetur dokumente ruse, disa pajisje.
“Motorët me 4 rrota janë donacion publik i Rusisë për ushtrinë e Serbisë“ – theksoi ministri, duke përmendur motorët e konfiskuar nga Policia pas aksionit.
Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.
Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.
Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.
Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.
Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.