Ministri Sveçla: Beogradi po dezinformon, s’ka lista për arrestim të ish-policëve
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka quajtur dezinformata lajmet se kinse Policia e Kosovës ka arrestuar një ish-polic serb në Mitrovicën e Veriut.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se fushata dezinformuese e Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale nuk ka të ndalur.
“’Lajmet’ e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb”- ka shkruar ministri Sveçla.
Ministri ka theksuar se nuk ka lista të tilla për arrestimin e ish-policëve serbë.
“Fushata dezinformuese se një ish-polic në Mitrovicën e Veriut është arrestuar dhe se janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit, vërteton edhe njëherë nevojën që barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se normaliteti duhet të kthehet sa më parë në këtë zonë”-ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka demantuar lajmet e mediave serbe lidhur me gjoja arrestimin e ish-policit serb me inicialet Z.M. në veri të vendit.