Ministri shfrytëzon resurset e qeverisë për ta mbështetur nismën e kryetarit të partisë

Dje, në një konferencë për media, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, prezantoi një plan për luftën kundër korrupsionit. Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi edhe nga kolegët nga partitë tjera që ta nënshkruajnë planin të cilin e quajti “Pakti Kundër Korrupsionit”.

E ndonëse partitë e injoruan thirrjen e Kadri Veselit, bashkëpartiakët e tij jo.

Sot, në cilësinë e ministrit në dorëheqje të Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zyra e tij për medie në këtë ministri lëshuan një deklaratë për media e cila përkrahë idenë e kreut të PDK-së.

Abelard Tahiri ëshë minisër i emëruar nga PDK.

Deklarata e ministrit në mbështetje të nismës së kryetarit të partisë së tij është dërguar nga adresa zyrtare elektronike e Ministrisë së Drejtësisë.

Emaili i dërguar nga Ministria e Drejtësisë në mbështetje të nismës së Kadri Veselit (Screenshot)

“Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nuk luftohet vetëm nga organet e drejtësisë por edhe nga parandalimi i kulturës abuzive dhe shfuqizimi i akterëve të korrupsionit. Nisma e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, e prezantuar dje si Pakt Kundër Korrupsionit, shënon një momentum të ri kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit”, citohet të ketë deklaruar Abelard Tahiri në komunikatën për media të Ministrisë së Drejtësisë.

“Si i tillë, ky Pakt është në përputhje me frymën e ndryshimeve ligjore që kam ndërmarrë në dy vitet e mandatit si Ministër i Drejtësisë dhe në frymën e dekriminalizimit të sferës politike, çështje mese e domosdoshme për të siguruar një qeverisje efikase, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, thuhet tutje në deklarimin e tij.

Ai ka bërë thirrje edhe partive tjera që të përkrahin nismën e shefit të partisë së tij nga pozita e ministrit në dorëheqje.

“Një përpjekje e tillë, duhet të jetë shembull i politik bërjes dhe standard i përhershëm në mes të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e Tetorit e po ashtu një standard që duhet të vlejë në çdo periudhë vijuese. Është jetike që qytetarët tanë të kenë mundësi të zgjedhin për përfaqësim, kandidatë me integritet, të cilët nuk janë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit dhe që nuk kanë rëndë ndesh me ligjin. Me këtë rast, i ftoj të gjitha partitë politike që të ndjekin shembullin e z. Veseli dhe të nënshkruajnë “Paktin Kundër Korrupsionit”, si shprehje e vendosmërisë dhe gatishmërisë për të ndërtuar një frymë të re politike kundër korrupsionit, kundër abuzimit me pushtetin dhe shkaqeve që mundësojnë keqpërdorimin”, thuhet në fund të komunikatës për medie të MD-së.

PDK qeveris që 12 vjet, Veseli thotë se korrupsioni ‘ka rritur nivel’ në Kosovë (VIDEO)

www.kallxo.com