Ministri Selimi takoi Shaip Havollin, luftën kundër korrupsionit e sheh si patriotizëm

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havollin.

Sipas njoftimi të MD, Selimi u njoftua me aktivitetet dhe prioritetet e Agjencisë Kundër Korrupsion, natyrën e rasteve të trajtuara nga kjo Agjenci dhe njëherit u informua me “angazhimin që ky institucion bën në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë si dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit”.

Havolli e ka njoftuar ministrin me nismën për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2021 – 2025.

Selimi deklaroi se lufta kundër korrupsionit është detyrë e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe se janë duke punuar brenda përgjegjësive për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në këtë drejtim.

“Lufta kundër korrupsionit me të drejtë konsiderohet si patriotizëm i kohës sonë dhe ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në këtë betejë të përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës presin që institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, integritet dhe transparencë gjatë vendimmarrjes. Prandaj përfshirja e të gjithë akterëve relevant do i bëjë edhe më efikase përpjekjet e gjithsecilit në luftën kundër korrupsionit” citohet të këtë thënë Selimi.