Foto: Ministria e Drejtesise

Ministri Selimi: Me reformën në drejtësi synohet ngritja e llogaridhënies dhe profesionalizmi

Ministri Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se reforma në drejtësi synon llogaridhënien, efikasitetin e profesionalizmin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Kjo çështje u diskutua në një takim me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hysenin.

“Është tejet me rëndësi i gjithë procesi i reformës në drejtësi, përmes së cilës synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial”, tha ministri Selimi.

Gjatë takimit mes ministrit Selimi dhe kryesuesit të KPK-së u diskutua për draftin e parë të strategjisë që del nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit me qëllim që të finalizohen rekomandimet të cilat përfshihen në këtë strategji.

Sipas njoftimit të MD-së, ministri Selimi ka vlerësuar kontributin e akterëve të përfshirë në hartimin e planit të veprimit i cili sipas tij, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm, përmes së cilit do të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Në anën tjetër MD ka njoftuar edhe se kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka vlerësuar bashkëpunimin e ofruar nga ana e ministrit Selimi dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të qenë pjesë  deri në finalizim të këtij procesi tejet të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.