Ministri Reka thotë se Kushtetuesja nuk i ka dhënë kompetenca Presidentit për dialog

I ftuar në Emisionin Jeta në Kosovë, Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka folur lidhur me atë se kush ka të drejtë ta udhëheqë dialogun më Serbinë, sipas Kushtetutës.

Ai tha se sipas Gjykatës Kushtetuese, është qeveria apo kryeministri ai i cili duhet ta udhëheqë dialogun dhe negociatat.

“Vitin e kaluar, Gjykata kushtetuese qartë tha, se qeveria i udhëheq negociatat, kryeministri, dhe me këtë e mbylli dilemën që ekzistonte deri atëherë. Ne sot në politikën e jashtme kemi një ‘kakofoni’, kemi një pakuptimësi apo shumëzësi, për atë se kush për çka është kompetent. Nëse e shikoni Kushtetutën, është e vërtetë se presidenti ka shumë jashtëzakonisht shumë  kompetenca të përgjithshme”, deklaroi Reka në emision.

Ai tha se duhet të ndërrohet Kushtetuta, që të balancohet legjitimiteti demokratik politik i presidentit.

“Një President që zgjidhet nga Kuvendi dhe jo nga populli, ka shumë ma shumë kompetenca, se nga presidentët që zgjidhen nga populli. Ose duhet të ndërrohet Kushtetuta, që të balancohet legjitimiteti demokratik politik, që e ka Presidenti, komform kompetencave juridiko-kushtetuese. Dhe jo Presidenti i cili zgjidhet me 61 vota në rrethin e tretë të votimit, të ketë kompetenca sikur është zgjedhur me vota popullore”, tha ministri Blerim Reka.

Emisionin Jeta në Kosovë mund ta ndiqni  këtu: