Ilustrim
Ministri Peleshi: Dëme të lehta pas tërmetit në Shqipëri
Pas tërmetit të sontëm në Shqipëri, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë të ditur se janë raportuar disa dëme të lehta një Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit.
Peleshi ka theksuar se strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt me të gjitha bashkitë.
Ministri ka theksuar se lëkundja e tërmetit ishte me magnitudë 4.7 shkallësh.
“Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe IGJEUM, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 Richter, me epiqendër 3 km në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha Bashkitë e vendit”- ka shkruar ai në Facebook.
Tërmeti raportohet të jetë ndjerë edhe në Shkup.
Më 26 nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë, nga i cili vdiqën 51 persona dhe u lënduan qindra të tjerë.