Foto: Parku Nacional "Sharri"
Ministri Peci thotë se helikopterët e KFOR-it kanë nisur punën për shuarjen e zjarrit në Prevallë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci thotë se helikopterët e KFOR-it kanë filluar aktivitetin për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Prevallë, i cili ka nisur qe disa ditë.
“Ne kemi informacione që helikopterë të KFOR-it tashmë kanë filluar aktivitetin dhe ofrimin e ndihmës institucioneve të Kosovës në aspektin e parandalimit dhe shuarjes së zjarrit” – u përgjigj Peci në pyetjen e gazetares së KALLXO.com, se cila ka qenë përgjigjja e KFOR-it ndaj kërkesës së institucioneve për ndihmë në shuarjen e zjarreve.
Peci shtoi se po bëhet përpjekje maksimale që të minimizohet potenciali dëmtues i zjarrit në Prevallë.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se ka folur me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash në takimin e mbrëmshëm lidhur me ballafaqimin me zjarret dhe ndihmën që KFOR-i mund të ofrojë.
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës në fakt nisi me thirrjen e Kurtit që mos të shkaktohen zjarre që po sjellin tragjedi në këto ditë të nxehta.
Kurti i dërgoi ngushëllime familjes së zjarrfikësit Sefadin Osmanaj i cili humbi jetën në vendin e tij të punës gjatë fikjes së zjarrit në fshatin Kurshevë të Vogël të Klinës.
“Vendi ynë tashmë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi Sefadin Osmanaj humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimet tona për familjen Osmanaj janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit në identifikimin e hershëm dhe reagimin e menjëhershëm në rast të zjarrit”- tha Kurti.
Në fillim të gushtit, zjarre pati edhe në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna.
‘Lufta’ me zjarrin e mungesa e ujit në Parkun Nacional Sharri