Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Peci: Subvencionet janë të bujqve e jo të keqpërdoruesve dhe mashtruesve

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përshëndetur veprimin e Prokurorisë dhe Policisë në lidhje me arrestimet e ditës së sotme në këtë institucion.

Peci po ashtu ka inkurajuar fermerët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mënyrë që të dënojnë çdo keqpërdorim.

“Veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të fermerëve, të cilët ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese. Fermerët i inkurajoj të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit”, ka thënë Peci.

Tutje Peci ka thënë se arrestimet janë bërë për vendosje të ligjshmërisë ndërsa ka shtuar se ministrisë do t’i kthehet reputacion që sipas tij po njihet për e famshme shkaku i skemave kriminale.

“Duke ndarë subvencione për fermerë, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin. Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të fermerëve”, ka thënë Peci.

Sot 21 persona janë arrestuar në lidhje me dyshimet për korrupsion në rastin e njohur për opinionin si “Subvencionet 2021”.

Këta persona u arrestuan në aksione të ndryshme në policisë në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

14 prej tyre janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe të tjerët zyrtarë të komunave të Kosovës.

Sipas prokurorit të rastit Rafet Halimi dëmi të cilin dyshohet se këta zyrtarë e kanë shkaktuar është mbi 1 milion euro.

“Aksioni do të vazhdojë edhe më tej. Vlera e dëmit e kalon vlerën 1 milion euro por vlera e saktë do të dihet pas ekspertizës”, tha prokurori.

Në lidhje me këtë aferë, muaj më parë u arrestuan 11 persona dhe u sekuestruan para të gatshme në vlerë mbi 600 mijë euro.