Ministri Peci: Prioritet për grantet më 2023 do të jetë rritja e fondit blegtoral

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se prioritet për grantet për bujqësi në vitin 2023 do të jetë rritja e fondit blegtoral, i cili nënkupton rritjen e numrit të lopëve, deleve, dhive e kafshëve të tjera.

Ai ka thënë se aktualisht janë në fazën e aprovimit të këtij programi.

“Në vitin 2023, unë kam vendosur që në mesin e prioriteteve të granteve të vitit 2023 do të jetë rritja e fondit blegtoral, jo vetëm me produktet e qumështit por edhe të mishit. Jemi ende në fazën e aprovimit të programit, nuk mundem me folë në detaje”- ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se janë duke analizuar modalitetet nëse rritja do të bëhet me përqindje apo me blerje të lopëve nga Ministria.

“Jemi duke analizuar të gjitha modalitetet, se a me shku me përqindje apo me shku me blerje, me mënyrën e furnizimit për racën. Edhe kapacitetet e mishit edhe të qumështit ne i kemi të vogla dhe defektet kryesore janë te lënda e parë”- ka thënë ai.

Tutje ministri Bujqësisë ka thënë se Kosova ndër vite ka shënuar rënie rapide të fondit blegtoral.

“Kosova në vitin 2022, por ka vazhdu edhe prej luftës e këtej ne e kemi trendin e rënies rapide të fondit blegtoral. Me rritjen e këtij fondi lind nevoja dhe domosdoshmëria e sigurimit të ushqimit për kafshë. Në këtë aspekt kemi efekt zinxhiror, prezenca e fondit blegtoral rrit sipërfaqet e mbjella, që më pas kanë efekt dhe produktivitet me të madh”- është shprehur ai.