Ministri Peci: Ministrja Gërvalla po sulmohet nga opozita dhe mediat për të futur përçarje brenda koalicionit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar debatin lidhur me përformancën e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në takimin e saj me ministren gjermane dhe diskutimet për mungesë të protokollit.

Sipas tij, Gërvalla nga partitë opozitare dhe mediat është portretizuar si pikë që duhet goditur për të futur përçarje brenda koalicionit.

“Ajo çfarë unë kam mundur të vërej në pjesën e përcepcionit ose interesimit ose qasjes kritike, Donika që nga marrja e mandatit sikurse partitë opozitare dhe mediat në përgjithësi kam përshtypjen se e kanë portretizuar si pika që duhet goditur më së shumti për të futur përçarje brenda koalicionit”, tha Peci.

Ministri Peci tha se mund të ketë shkarje në aspekt organizimi dhe pritje protokollare dhe se Gërvalla nuk e ka imagjinuar që ajo duhet të kujdeset për çështjen e flamujve brenda organizimit të një takimi protokollar.

“Ne që jemi sfiduar shumë në kontekstin kosovar e dimë që mund të ketë shkarje në aspekt organizimi dhe pritje protokollare. Për disa lëshime të tilla teknike, nuk është e lumtur edhe Donika që kanë ndodhur, por nëse bëjmë një bilanc mes angazhimit dhe aktiviteteve që ajo po ndërmerr brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme mendoj që bilanci është tejet pozitiv”, ka shtuar ministri Peci.

Në intervistën në emisionin “Kallxo Përnime”, i pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të Listës Guxo, Peci ka thënë se nuk ka një ambicie të tillë.

“Jo, nuk kam një ambicie të tillë. Ne këtë fazë jemi përcaktuar që ta kemi Donikën si drejtuese të Listës Guxo”, tha ai.

Ndërsa lidhur me përformancën e Listës Guxo në zgjedhjet lokale, Peci tha se nuk është i kënaqur me performancën në ato zgjedhje.

Ministri Peci ka komentuar edhe deklaratën e burrit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut, lidhur me mediat. Ministri tha se Sadriu nuk e ka bërë një postim të tillë por e ka shpërndarë një postim të këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani.

“Nëse nuk gaboj ka qenë edhe një reagim pasues në të cilin ka dhënë shpjegime që nuk ka pasur intencë që të gjitha mediat t’i portretizoj që janë të njëjta, por sido që të jetë janë edhe disa veprime që njeriu në afekt mundet me reagu”, ka thënë Peci.