Foto: Komuna e Skenderajt

Ministri Peci e kryetari i Skenderajt diskutojnë për dëmet në bujqësi, të shkaktuara nga vërshimet

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka pritur edhe sot zyrtarë dhe delegacione të ndryshme, pas vërshimeve dhe përmbytjeve në këtë komunë.

Në njoftimin e Komunës thuhet se në vizitë ka qenë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna,

“Me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, kryetari Nura ka diskutuar mbi dëmet e shkaktuara në bujqësi, pas vërshimeve dhe përmbytjeve në shkallë të gjerë, dhe hapat për të rimëkëmbur këtë sektor kaq të rëndësishëm për komunën tonë, nëpërmjet mbështetjes nga niveli qendror” – thuhet në njoftim.

Ndërsa me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kryetari i Skenderajt ka biseduar rreth përkrahjes dhe mbështetjes nga ana e Federatës me qëllim që të ndihmohet rimëkëmbja e Skenderajt.

“Në një takim tjetër që ka pasur kryetari Nura me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është diskutuar për dëmet e shkaktuara në sektorin ekonomik, ku shumë biznese lokale janë dëmtuar nga niveli i lartë i vërshimeve. Me këtë rast, është premtuar përkrahje nga OEK-u, për bizneset e prekura nga fatkeqësia e përmbytjeve” – thuhet në njoftim.

Komuna e Skenderajt është njëra nga komunat më të goditura nga vërshimet e javës së kaluar.