Foto-ilustrim

Ministri Peci: Do të subvencionohen bujqit që kanë më shumë se dy hektarë grurë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se bujqit duhet të kenë më shumë se dy hektarë grurë për të përfituar nga subvencionimi për kulturën e grurit.

Ministri Peci lidhur me këtë tha se bujqit përveç përkrahjes nga Ministria e Bujqësisë duhet të kenë përkrahje edhe nga niveli komunal.

“Po vlen (kriteri mbi dy hektarë) sepse unë besoj që përkrahja për bujqësinë nuk duhet me qenë vetëm nga Ministria e Bujqësisë por përkrahja duhet të jetë edhe në nivelin komunal”, tha Peci.

“Kufizimi dy hektarë është minimumi i atyre që plotësojnë kriterin e aplikimit për sipërfaqe, ai që ka një hektar duhet me u subvencionu nga komuna”, shtoi tutje ai.

Ministri i Bujqësisë në emisionin “Kallxo Përnime” tha se edhe subvencionimi i përkrahjes me naftë, farë dhe pleh pranveror është për bujqit që kanë të mbjella dy hektarë.

“Subvencionimi është prej dy hektarë në kulturën e grurit. Ne i subvencionojmë të gjithë ata që i plotësojnë kriteret. Ne i kemi liruar një numër të konsiderueshëm të kritereve. Kriteret kësaj here në proces të aplikimit janë kriteret më të lehta ndonjëherë”, tha Peci.

Tutje ai tha se bujqit që kanë nën dy hektarë të grurit në rast se orientohen në një kulturë tjetër e marrin pjesën e përkrahjes.

Peci tha se Ministria e Bujqësisë është duke shqyrtuar edhe mundësi tjera të rritjes dhe përkrahjes mbi bazën e rendimentit.

“Ne jemi duke i shqyrtuar edhe mundësi tjera të rritjes dhe përkrahjes mbi bazën e rendimentit dhe për këtë arsye në këtë pjesën e përkrahjes së katërfishtë ne kemi futur subvencionimin mbi bazën e rendimentit me qëllimin që të gjitha sasitë e grurit që prodhohen në Kosovë të drejtohen në drejtim të mullisëve”, ka shtuar ministri i Bujqësisë.