Ministri Nitaj: Telekomi ka filluar të punojë me fitime, por gjendja mbetet e vështirë

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka pritur sot në takim menaxhmentin e Telekom-it, me të cilët thuhet se u njoftua me gjendjen në Telekom.

Sipas një komunikate për media të MEA-së, Nitaj tha se përkundër se kjo ndërmarrje ka filluar të punojë me fitime, gjendja vazhdon të mbetet e vështirë, “pasi një pjesë e të hyrave duhet të paguhen çdo muaj ndaj Dardafon-it, si pjesë e shlyerjes së borxhit”.

Po ashtu, ministri Nitaj u njoftua se stabiliteti i punës së Telekom-it mund të dëmtohet nga teknologjia e vjetër me të cilën operon dhe mungesa e mirëmbajtjes së kësaj teknike.

Sipas tij, lajm pozitiv është se pas një kohe të gjatë, Telekomi ka filluar të operojë me fitime.

Më tej bëhet e ditur se në takim u kërkua shikimi i mundësisë së riprogramit të borxheve që Telekom-i ka ndaj Dradafon-it dhe ndërmarrjeve tjera, dhe uljes së shpenzimeve që Telekom-i të funksionojë si një ndërmarrje profitabile.