Ministri në largim sfidon Këshillin e Cilësisë, insiston për më shumë studentë në Mjekësi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot është takuar me anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, prorektorët Hysen Bytyqi dhe Merita Koçnaj- Berisha, si dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka.

Në këtë takim u bisedua lidhur me situatën e krijuar për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin e ri akademik 2019/2020.

Ministri Bytyqi tha se Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë, duhet që sa më parë të implementojnë vendimin e MAShT-it lidhur me rritjen e numrit të studentëve të rinj në dy drejtime të këtij fakulteti.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, vendimi për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, është marrë në bazë të kërkesës së UP-së.

Sipas Bytyqit, një vendim i tillë është marrë në bazë të kompetencave ligjore që ka Ministria, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar si politikë arsimore me interes nacional.

Bytyqi kërkoi që sa më parë të fillojë së zbatuari vendimi, ndërsa përfaqësuesit e UP-së dhe FM-së u shprehën të gatshëm të respektojnë vendimin e MAShT siç është e paraparë ne vendim.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me 17 korrik ka miratuar kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin akademik 2019/2020 në nivelin Bachelor. Këtë vendim e ka kritikuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë duke e quajtur ndërhyrje politike.

Ministria e Arsimit e ka konsideruar politikë me interes nacional rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e  mbajtur në fund të muajit korrik ka vendosur që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje