Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Ministri në arrest shtëpiak, Qeveria hesht rreth rastit

Tri ditë pas arrestimit të ministrit për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka dhe dy ditë pasi Gjykata Themelore e Prizrenit caktoi masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë ndaj tij, pasi dyshohet për “sulm fizik” dhe “kanosje të dy personave”, Qeveria e Kosovës nuk e ka thënë asnjë fjalë rreth këtij rasti.

KALLXO.com, më 10.02.2025, ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës për të marrë një qëndrim rreth këtij rasti, por nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje. Pyetjet e njëjta janë ridërguar edhe më 12.02.2025, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk është pranuar kurrfarë përgjigjeje nga Kryeministria.

Derisa, Zyra e Kryeministit ka heshtur, KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku.

Ky i fundit ka konfirmuar se nuk ka ndonjë vendim që kompetencat e Ministrit t’i barten atij, derisa Fikrim Damka të jetë në arrest shtëpiak.

Megjithatë, për KALLXO.com, zëvendësministri Tafarshiku tha se nuk ka ndonjë problem në funksionimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

“Ne jemi Zëvendësministra në detyrë. Kuptohet që kur nuk është Ministri është Zëvendësministri. Momentalisht, nuk ka ndonjë akt për bartje të përgjegjësisë. Ne vazhdojmë të jemi në detyrat që i përcakton pozita e Zëvendësministrit dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal është duke funksionuar. Nuk ka asnjë problem.” – tha Tafarshiku.

Ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, njëherit edhe Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, u arrestua, më 10.02.2025, në Prizren, pasi që dyshohet se në ditën e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, rreth orës 17:30, së bashku me një familjar të tij sulmoi fizikisht dhe kanosi dy anëtarë të Partisë Turke të Lëvizjes Novatore.

Fillimisht Prokuroria Themelore në Prizren kishte kërkuar paraburgim për dy personat e dyshuar, por Gjykata Themelore e kishte refuzuar Kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj ministrit Fikrim Damka dhe familjarit të tij Fuad Damka caktoi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Bazuar në Dosjen e Prokurorisë, dy të dyshuarit pretendohet se fillimisht i kishin sulmuar fizikisht dy anëtarët e Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, Arda Malokun dhe Muharrem Jablen, e më pas i kishin kërcënuar se do t’i privonin nga jeta, duke iu drejtuar me fjalët: “Ju kalli të gjithëve, ju vras.”

Ngjarja dyshohet të këtë ndodhur në një park, në lagjen Kurile të Prizrenit, në afërsi të selisë së Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Në lidhje me arrestimin e tij dhe vendimin për paraburgim është publikuar edhe një video në gjuhën turke në rrjetin social TikTok, të cilën mund ta gjeni KËTU.

Fikrim Damka kishte marrë besimin për të drejtuar Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, në Qeverinë Kurti 2.

Ndërkohë, Ambasada e Turqisë në Kosovë, më 10.02.2025, kishte reaguar lidhur me rastin e arrestimit të kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka.

Kjo Ambasadë ka theksuar se me keqardhje ka mësuar lajmin se Kryetari i partisë më të vjetër politike të turqve të Kosovë është në mbajtje.

Ambasada e Turqisë në Kosovë kishte uruar që Kosova “ta ruajë stabilitetin e saj në kohë krizash në arenën ndërkombëtare, ndërsa komuniteti turk në Kosovë të mbajë unitetin dhe maturinë”.