Ministri Mustafa ua ndërpret kontratën e punës 60 "të rehatuarve" me kontrata antiligjore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërprerë 60 kontrata afatshkurta pa bazë ligjore.

Ministri Besian Mustafa ka shkruar në Facebook se këto kontrata kanë qenë antiligjore dhe se janë ndërprerë si rezultat i shkurtimeve buxhetore për vitin 2020.

Mustafa ka shkruar se për pozitat e domosdoshme në Ministri do të hapen konkurse ligjore dhe do të ndiqet procedurat e rregullta ligjore.

Tutje ai ka shkruar se të gjitha këto kontrata kanë qenë nën premtime të rrejshme se do të “rehatohen”.

“Kam trashëguar një ministri përplot shkelje ligjore, duke përfshirë mbi 60 njerëz që kanë qenë të angazhuar me kontrata afatshkurta antiligjore, nën premtimet e rrejshme se jashtëligjshëm do të “rehatohen”. Sot, u njoftova nga u.d. sekretari i Ministrisë dhe u.d. kryeshefi i Agjencisë së Bujqësisë se këto kontrata, në mungesë të bazës ligjore dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore për vitin 2020, janë ndërprerë. Këto janë vendime të zorshme e të dhimbshme për gjithsecilin, por shkelja e ligjit nuk mund të bëhet normë! Për pozitat e domosdoshme në Ministri, të aprovuara ligjërisht dhe me buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, do të hapen konkurse ligjore që ndjekin procedurat e rregullta ligjore. Ftojmë profesionistët që të aplikojnë për këto pozita të rregullta me kontrata ligjore afatgjata”, ka shkruar Mustafa.