Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Murati u kërkon falje luftëtarëve të UÇK-së

Ministri i Financave, Hekuran Murati u ka kërkuar ndjesë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës(UÇK) për shkrimet që kishte bërë para disa viteve.

Murati ka thënë se këto shkrime janë bërë nga mllefi që sipas tij, me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës.

Ai ka thënë që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar.

Shkrimi i plotë i Hekuran Muratit në Facebook:

I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky është qëndrimi im.

Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve.

E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.