Ministri Murati replikon me opozitën për punësimet në KEK

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur rreth punësimeve në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Murati tha se këto punësime nuk kanë të bëjnë me LVV-në.

“Kjo s’ka të bëjë me LVV. Por kur s’po ka ku të kapet tjetër kund e ku të akuzohet qeverisja, pastaj shihen e gjenden tre ose katër veta që mund të kenë postuar ndonjë foto në mbështetje të Lëvizjes nga 100 e disa që janë pranuar dhe me këtë po i ngjitet tiketa që këtu paska pas diçka qeveria ose LVV”, tha ai.

Murati ka drejtuar pyetje edhe te qytetarët se në të kaluarën a kanë parë konkurse të shpallur në KEK, Postë, Telekom, etj.

“Po i pyes qytetarët a keni dëgjuar ndonjë herë për ndonjë konkurs që është shpall në Postë, KEK, Telekom apo kudo tjetër. Unë s’kam dëgjuar kurrë se mijëra të punësuar janë punësu me lista. S’ka pas as konkurs. Tash ka konkurs për herë të parë, është procesi ankimor. Kush ka ankesa e inkurajoj si qeveri që çdokush me pas të drejtën”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka replikuar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Ministër nuk ke nevojë me na bind neve, bindi qytetarët që ju ke thanë ‘ kushërinjtë janë për dasma, nuk janë as me u qu në KEK e as në ministri’. Mos na bind neve, buxhetin nuk ta kemi lënë 1.2 miliardë, nëse je tu folë në terma të shpenzimeve. Borxhe ka pasur gjithmonë, secili që e ka marrë mandatin ka pasë borxhe”, ka thënë Bajrami.

Në replikën e saj ndaj ministrit Murati, Bajrami e ka pyetur se si nuk po i duket skandal që anëtarë e komisionit përzgjedhës sipas saj i kanë punësuar bijtë e tyre.

“Na po pyesim, qytetarët dojnë përmirësim në jetën e tyre, ata këtë nuk po e shohin. Po e shohin që institucionet i keni kthyer në ahengje për dasma për kushëri dhe familjar?”, ka thënë deputetja Bajrami.

“Bindi 4,600 inxhinierë të tjerë të cilët janë diskualifiku nga konkursi”, shtoi ajo.

Murati gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës e ka përmendur edhe një investim që sipas tij iu ishte bërë KEK-ut.