Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Ministri Murati njofton se janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijë e pensionistë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se kanë procesuar transferin e pagave për shërbyesit publikë dhe shtesën e njëhershme prej 100 euro për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç si dhe për të gjithë përfituesit e skemave pensionale, përfshirë edhe skemat e kategorive të luftës.

Sipas ministrit Murati, janë mbi 400 mijë fëmijë përfitues të shtesës prej 100 euro.

“Rreth 300 mijë pensionmarrës përfitues, dhe mbi 83 mijë shërbyes publikë. Gjithsej 140 milionë euro në një ditë të vetme. Falënderoj stafin e MFPT që janë angazhuar për ta bërë të pamundurën për të ekzekutuar gjithçka brenda ditës, e gjithashtu edhe BQK-në për zgjatjen e sesionit të pagesave, ashtu që transferet të kryheshin para fundjavës” – ka shkruar Murati në Facebook, më 27.12.2024.

Murati ka shtuar se varësisht nga banka ku e kanë llogarinë përfituesit do t’i pranojnë edhe mjetet në llogari, disa më herët e disa më vonë, por e rëndësishme, sipas tij, që transferi tashmë është ekzekutuar.

Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë të datës 27.12.2024 ka thënë se do të jenë rreth 700 mijë përfitues të këtyre shtesave.

Murati sqaroi në mbledhje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera përveç skemës së pensionit të moshës. 

Ai tha se të gjitha skemat janë të përfshira – edhe kategoritë e luftës, edhe kategoritë e aftësive të kufizuara. 

“I vetmi kusht është që nuk mund të përfitojë dikush, nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë. Nuk mund të përfitojë dy herë. Kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj.” – tha ai.

Murati kishte ndarë një link përmes të cilit – sipas tij – qytetarët të cilët nuk kanë nevojë për shtesat e Qeverisë, mund të tërhiqen duke e plotësuar një formular.

Ndaj këtij Vendimi kishin reaguar partitë opozitare, duke e quajtur këtë ndihmë si “lëmoshë” dhe “për fushatë zgjedhore”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti edhe vitin e kaluar, pothuajse në të njëjtën kohë, kishte ndarë mjete për fëmijët, pensionistët e nënat lehona.