Ministri Murati nesër në interpelancë për uljen e shtesave të pensionistëve, personelit shëndetësor e institucioneve të sigurisë

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër do të mbajë seancë plenare.

Sipas njoftimit, punimet do të fillojnë nga ora 10:00.

Ndërkaq, pikë e rendit të ditës mes tjerash është interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.

Në mbledhjen e Qeverisë, të datës 21 prill 2021 u morë vendim që sektori i gastronomisë, qendrat tregtare, fitneset, punëtorët shëndetësorë e të sigurisë dhe skemat pensionale, të përkrahen nga Qeveria me një shumë totale prej rreth 20 milionë eurove. Pikërisht këto shtesa për pensionistët bëri që të ketë reagime mjaft të ashpra nga ana e opozitës.

Ky është rendi i plotë i ditës së seancës së nesërme:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”,

4. Shqyrtimi Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 formimin e komisioneve parlamentare,

5. Zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit.