Ministri Murati i reagon Ramës: Në vend se të gjesh fajtorin, kryej punët që u ke premtuar qytetarëve 

Ministri i Financave Hekuran Murati, ka publikuar një grafikon, për çka pretendon se Qeveria i ka dhënë mbështje buxhetore Komunës së Prishtinës për vite me radhë. 

Në këtë mënyrë, ai ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të kësaj komune, Përparim Ramës se po mbyll vitin me suficit.

Reagimi i Muratit vie pas akuzave të kryetarit të Prishtinës se Qeveria e Kosovës, nuk ka mbështetur dhe ka bllokuar disa projekte në kryeqytet.

Në anën tjetër, Ministri Murati, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka thënë se në tri vitet e fundit ka  rritje të theksuar të mbështetjes me buxhet nga Qeveria.

“Por ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro”- ka shkruar Murati, sot më 09.01.2025. 

Tutje, Murati është shprehur se kryetari Rama, në vend se të kërkoj fajtorin për zvarritjen e punëve në kryeqytet, t’i mbajë premtimet e dhëna. 

“Andaj, Kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqëndrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve”- ka shkruar ministri Murati. 

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama në këtë fillimvit të ri renditi, në një konferencë për media, sfidat që i ka pasur qeverisja e tij gjatë vitit të kaluar, në realizimin e projekteve që sipas tij kontribuojnë në transformimin e Prishtinës.Për ‘sfidat dhe ngecjet’ në projekte, Rama fajin ia hodhi Qeverisë Kurti duke nisur nga projekti i Unazës së Jashtme dhe projekti i organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, për të cilat Prishtina është nikoqire.

Përparim Rama me kritika ndaj Qeverisë, rendit projektet që kanë ngecur (VIDEO)