Foto: KALLXO.com

Ministri Murati i përgjigjet AAK-së: Me falje të borxheve nuk mbahet shteti

Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë interpelancës së thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për faljen e gjobave gjatë pandemisë, tha se me falje të borxheve nuk mund të mbahet shteti.

“Borxhi nuk mund të falet. Me falje të borxheve nuk mbahet shteti. Shteti mbahet me tatim. Janë borxhlinjtë kronik që shpresojnë në vendime të tilla”, theksoi ai.

Murati shtoi se thirrësi i interpelancës nuk e ka të qartë se pse ka thirr interpelancë.

“Thuhet se interpelanca thirret për faljen e gjobave gjatë pandemisë, e në fjalim thotë se duhet të falen edhe gjobat ATK-së të cilat nuk kanë të bëjnë me pandeminë. Sa për informim për vonesat për pagesën e tatimit ka një vendim është valid, që është për heqjen e gjobave nëse tatimpaguesi paguan shumën e plotë të gjobës plus interesin. Bizneset që dëshirojnë të përfitojnë është vendim valid deri më 30 qershor”, tha Murati.

Sipas tij 953 biznese kanë aplikuar në pjesën e faljes ndëshkimore, por borxhi sipas tij duhet të paguhet.

“Pjesa tjetër ka të bëjë me gjoba të inspektoratit dhe nuk ka të bëjë me Ministrinë e Financave”, tha ai.

Murati tha se gjobat janë për t’i ndëshkuat shkelësit e ligjit.

“Unë e kuptoj që praktikat e qeverive të kaluara nuk kanë pas këtë problem. Për neve zbatimi i ligjit është prioritar. Borxhi nuk mund të falet. Shteti mbahet me tatim. Unë i falënderoj publikisht tatimpaguesit e rregullt që i paguajnë shtetit tatim. Janë borxhlinjtë kronik që shpresojnë në vendime të tilla. Shteti nuk mbahet kështu. Këta tatimpagues e kanë mundësuar pagesën e mjekëve pensionistëve pagat e juaj deputet edhe tonat. Borxhet duhet të paguhen”, tha ai.

Murati tha se të gjithë ata pranues të pagave që punojnë në sektorin publik të përkujdesen dhe sigurohen që ta kërkojnë kuponin fiskal.

Murati tha se shteti nuk është veç qeveria, po sipas tij “jemi gjithë ne”.